FIDES 2019

Për të njëmbëdhjetin vit me radhë, Forumi për Iniciativa Qytetare, organizoi Ceremoninë e ndarjes së çmimeve për filantropi FIDES 2019. Në një atmosferë të ngrohtë, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës, me këtë Çmim, u nderuan filantropët e vitit, ata që kanë kontribuar në mënyrë sistematike në të mirën e përgjithshme.

Ceremoninë e ndarjes së Çmimeve FIDES 2019, e hapi znj. Dajana Berisha, Drejtore Ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare, e cila ndër të tjera, në fjalën e saj të rastit u shpreh: “Urojmë që kjo darkë e filantropisë të jetë një gurë i mbarë për zgjedhje të situatës politike nëpër të cilën po kalon Kosova. Muzeu Kombëtar duhet të jetë institucion i mbledhjes filantropike ndër vite, si dëshmi në formimin e shtetit të Kosovës. Transparenca dhe sundimi i ligjit për sektorin privat mënyra më e mire për të evidentuar projektet e tyre zhvillimore”

Këtë vit, pati katër çmime FIDES:

Çmimi FIDES për kontribut kombëtar “Hasan Prishtina”, me plot meritë u nda për heronjtë tanë, që jetën tyre e vunë në rend të dytë, duke treguar gatishmërinë t’i dalin në mbrojtje e shpëtim, mu ashtu siç e kërkon detyra, vëllezërve tanë matanë kufirit, Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Këtë Çmim në emër të FIQ, e ndau, Albin Kurti, i cili në fjalën e tij të rastit tha “Ky çmim na kujton se detyrat tona të përditshme na duken si një rutinë e pakuptimtë. Puna e mësuesit, policit mund të duken të zakonshme por ajo është jetike për nxënësit dhe qytetarët. Ndihem i nderuar që ndaj çmimin Hasan Prishtina, këtë e bëjmë për dikë më të veçantë, që treguan përkushtim dhe profesionalizëm që shpëtuan njerëzit në Durrës e Thumanë. Ju jeni ushtarët e vërtetë, edhe Hasan Prishtina do të ndihej krenar po të ishte sot këtu”.

Çmimi FIDES 2019 për kontribut korporativ; për investime në ekologji, në krijimet e parqeve ne qendra te ndryshme te vendit, investime strategjike ne arsim dhe shëndetësi iu nda AL TRADE Center.

Këtë Çmim në emër të FIQ, e ndau Vjosa Osmani, e cila u shpreh se “Nuk ishte vetëm veprimi i ushtarëve tanë në tragjedinë në Shqipëri që na bën të ndihemi krenar por edhe cdo qytetar të Kosovës. Kjo dëshmoj se edhe sa afër është diaspora me ne. Ne duhet të ndërtojmë këtë shpirt vullnetar të ndihmës ndaj njëri tjetrit te të vegjlit”.

Çmimi FIDES 2019 për kontribut individual, për mbledhje fondesh dhe investim në infrastrukturën bazike në disa shkolla fillore të Kosovës, shkoi për Caleb Jones, një i ri amerikan, i cili me mjetet e mbledhura në vendin e tij në Amerikë, ka bërë rregullimin e disa shkollave në vendin tonë.

Këtë Çmim në emër të FIQ, e ndau Ray Nayler, Zëvendës Oficer për Çështje Publike, Zhvillimi arsimor, diplomacia kulturore dhe shkëmbimi, Ambasada Amerikane në Kosovë.

Çmimi FIDES 2019 për kontribut nga diaspora, për investime sociale dhe kulturore, duke vënë po ashtu kohen e vet për të organizuar ligjërata në parlamentin suedez, për të ngritë vetëdijen mbi viktimat seksuale në Kosovë, e mori Arta Krasniqi Trepça.

Këtë Çmim në emër të FIQ, e ndau Nasrin Pourghazian, Konsulle, shefe e Bashkëpunimit për Reforma.