FIDES 2014

Ceremonia e ndarjes së Çmimit FIDES për të gjashtin vit me rradhë nga Forumi për Iniciativa Qytetare me përkrahjen e Rockefeller Brothers Fund, e mbajtur mbrëmjen e 4 dhjetorit në Hotel Emerald u karakterizua me nderimin dhe falenderimin publik të individëve nga Kosova e diaspora, kompanive, organizatave të shoqërisë civile dhe komunave.

Çmimin FIDES për kontribut në nivel kombëtar e fitoi IPKO Foundation, për kontribut në arsim dhe teknologji informative, ndërkohë që FIDES për kontribut individual i shkoi z. Misin Zenunaj nga Klina, që ndërtoi qendrën rinore në fshatin Gramnik të Klinës.

Çmimin FIDES për kontribut nga diaspora, e fitoi biznesmeni i suksesshëm z. Lazim Destani, i cili ka ndarë një pjesë të fitimeve të bizneseve të tij për qëllime filantropike, mbështetje të projekteve kulturore dhe të arsimit, si dhe atyre të ambientit.

Çmimin FIDES për partneritet filantropik e fitoi Hani i Elezit, me në krye z. Rufki Suma, i cili shquhet për ndërmarrjen e aktiviteteve në përkrahjen e grupeve të ndryshme sociale, por edhe në qeverisjen e mire komunale.

Çmimin FIDES për kontribut në zhvillimin e qëndrueshëm nga organizatat e shoqërisë civile e fitoi organizata The Ideas Partnership, për përkrahjen e grupeve të margjinalizuara, siç është komuniteti RAE, duke krijuar vende pune për gratë e këtij komuniteti dhe përfshirjen e fëmijëve në shkolla.

Këtë natë, u nda edhe një çmim i veçantë, Çmimi FIDES për kontribut jetësor “Hasan Prishtina”, i cili iu dha Vëllezërve Mikel e Simon Kuzhnini, të cilin e ndau Murat Jashari. Vëllezërit Kuzhnini u nderuan me këtë çmim, për kontribut jetësor që i kanë bërë popullit të Kosovës në më shumë se katër dekada, duke dhënë nga pasuria e tyre familjare një pjesë të konsiderueshmë të mjeteve financiare dhe kohës.

 

Video galeria