FIDES 2013
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) në bashkëpunim me Rockefeller Brothers Fund, për herë të pestë më rradhë, organizoi ceremoninë e dhënies së Çmimit FIDES 2013, për të nderuar kontributin filantropik të bizneseve dhe individëve në Kosovë dhe Diasporë.
Me të ftuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, korit diplomatik, përfaqësues biznesesh vendore dhe nga diaspora, shoqëri civile dhe të tjerë, me Çmimin FIDES u nderuan kompani, që gjatë vitit kanë kontribuar në të mirën e përbashkët, individë të vullnetit të mirë nga Kosova dhe diaspora.
Çmimi do të bëjë të mundur që fituesit të gëzojnë edhe një përkrahje të gjerë publike për projektet që ata kanë mbështetur me aq bujari dhe të shërbejnë si shembull i mirë për të tjerët.
“Jemi të vetdijshëm, që jetojmë në një realitet kontradiktor, në të cilin tkurrja e burimeve të përbashkëta natyrore ndodh jo thjesht si pasojë e rritjes së nevojave të qytetarëve për konsum, por mbi të gjitha si rrjedhojë e keqmenaxhimit të këtyre pasurive” tha znj. Dajana Berisha, Drejtoreshë Ekzekutive e FIQ-it, me rastin e ndarjes se çmimeve.
Sipas programit të ceremonisë, pjesëmarrësit patën mundësinë të kontribuojnë me të holla në këmbim të ëmbëlsirave të përgatitura nga fëmijët e shkollës fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë. Shuma e mbledhur prej 350 eurosh, u dedikua për blerjen e librave jashtëshkollor për pasurimin e bibliotekës së shkollës, me qëllimin që fëmijët të ofrohen më shumë me librin.
Fitues të Çmimit FIDES 2013, janë:
Çmimi FIDES për nivel kombëtar: IPKO Telecommunications për shkak të nivelit të lartë të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës, të cilin e ndau Ambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, znj. Tracy Ann Jackobson.
Çmimi FIDES për nivel lokal: Organizata Humanitare FENIKS nga Ferizaj, organizatë kjo e cila vetëm gjatë vitit 2013, ka arritur të ndërtoj 14 shtëpi për skamnorët. Ky çmim u nda nga z. Michael Mors, zv/Drejtor regjional i GIZ-it për Kosovë.
Çmimi FIDES për Filantropët e Rinjë: Shkolla fillore “Naim Frashëri”, Prishtinë për mbledhjen e fondeve për rregullimin e kopshtit të shkollës, u nda nga z. Korab Ahmeti, menaxher i projektit Kosova Cap Project, i cili ishte fitues i FIDES 2012 për kontribut në mjedis.
Çmimi FIDES për kontribut individual: z. Këlmend Rizvanolli, për donacionin prej 500,000.00 Euro për ndërtimin e shkollës së re fillore në Gjakovë, me kapacitet për 550 nxënës, çmim ky që u nda nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Islam Lauka.
Çmimi FIDES për kontribut nga Diaspora: Fondacioni Salih e Isa Nushi për promovimin e arsimit, kulturës dhe shkencës tek të rinjtë Kosovar, përmes bursave për student të dalluar. Këtë çmim e ndau z. Kim Mehmeti, publicist.