FIDES 2012

Në ambientet e Hotel Emerald, në Prishtinë, Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ, për herë të katërt organizoi ceremoninë e ndarjes së Çmimit FIDES 2012, me një pjesëmarrje prej rreth 300 pjesëmarrës, nga kori diplomatik, përfaqësues të institucioneve dhe organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfaqësues biznesesh vendore dhe nga diaspora, shoqëria civile dhe media. Dhënia e çmimit, vetvetiu u ofron mundësi shoqatave, organizatave joqeveritare dhe në përgjithësi përfituesve të donacionit, që publikisht të shprehin mirënjohjet e tyre për dhuruesin e donacionit. Në anën tjetër, çmimi do të bëjë të mundur që fituesit të gëzojnë edhe një përkrahje të gjerë publike për projektet që ata kanë mbështetur me aq bujari.

Çmimi FIDES për filantropi këtë vit, iu nda AUK Charity Club, për Kontribut në Nivel Kombëtar: për përkrahjen e grupeve të margjinalizuara, si Down Syndrome Kosova, Fëmijët me aftësi të kufizuara, Kampanja mbi Kancerin e Gjirit, Kampanja mbi Alfabetin Braj dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre. Këtë çmim e ndau Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi.

Çmimi FIDES për Kontribut në Nivel Lokal, iu nda Kompanisë ABI nga Prizreni, për përkrahje të aktiviteteve sportive dhe kulturore, përkrahje për shkollimin e fëmijëve bonjak, ndihma për familjet e varfëra, çmim ky i cili u dha nga Përfaqësuesi Special i Unionit Europian / Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Samuel Zbogar.

Çmimi FIDES për Kontribut Individual, iu nda, Dr. Mynavere Hoxha, për punë vullnetare si neonatologe. Ky çmim u nda nga Ambasadori Norvegjez, z. Jan Braathu.

Çmimi FIDES për Kontribut nga Diaspora, iu dha Projektit BUNATEKA, Bnarchitects & Associates, për ndërtimin e bibliotekave të vogla për fëmijë në zonat rurale, çmim ky që u nda nga z. Elbasan Morina, nga Projekti Diaspora për Zhvillim.

Çmimi FIDES për Kontribut në Mjedis, iu nda Kosova Cap Project, për reciklimin e kapakëve të plastikës si burim për të blerë dhe dhuruar karroca për personat me aftësi të kufizuara, ku deri tani janë shpërndarë mbi 50 karroca. Çmimi u nda nga z. James Makbeth Forbes, Drejtor i zyrës së GIZ, për Kosovë dhe Maqedoni.

Me rastin e ndarjes së Çmimit FIDES, znj. Mexhide Spahija, Drejtoreshë Ekzekutive e FIQ-it, theksoi se “FIQ beson që vetëm një pikë uji në oqean, krijon rrathë të cilët shpërndahen ngadalë, por sigurtë. Kosova sot, është një nga shtetet më të varfëra në Europë dhe është vend i rrethuar me kufinjë, mirëpo filantropia nuk njeh kufinj” përfundoi ajo.

Video galeria