FIDES 2009
Forumi për Iniciativa Qytetare, mbështetur nga Rockefeller Brothers Fund mbajti ceremoninë për ndarjen e çmimit FIDES për Filantropinë më të mirë Korporative në Kosovë për vitin 2008-2009. Çmimi FIDES është i pari i këtij lloji i dhënë ndonjëherë në Kosovë dhe simbolizon një mirënjohje të madhe publike për kompanitë dhe ndërmarrjet që kanë investuar në të mirën e përbashkët.
Hapjen e kësaj ceremonie e bëri drejtori i Forumit për Iniciativa z. Ferdinand Nikolla, i cili ka thënë se ndarja e çmimit Fides do të jetë tradicional. Ai ka shtuar se me FIDES synohet të vendoset një sistem i ri për mirënjohjen e punës së atyre që kontribuojnë për një jetë më të mirë në Kosovë.
Ndërkaq, presidenti i Rockefeller Brothers Fund z. Stephen Heintz ka theksuar se ai beson në perspektivën e Kosovës, duke potencuar se nisja e traditës së shpërblimit filantropik është shumë me rëndësi për vendin tonë.
Duke falënderuar dhe vënë në pah përkushtimin dhe kontributin e shumë kompanive, kjo ceremoni nxori fituesit për tri kategoritë e çmimit FIDES:
FIDES çmimi për Kontribut në nivel kombëtar e fitoi kompania Data Project Electronics, kompani kjo e cila ka përkrahur aktivitete me rëndësi shoqërore, aktivitete që reflektojnë perceptime pozitive si dhe dëshmojnë solidaritet.
Gjatë dhënies së këtij çmimi presidenti i Kosovës z. Fatmir Sejdiu, duke falënderuar të gjithë njerëzit që kanë kontribuar për organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në Kosovë, ai gjithashtu falënderoi të gjithë ata që me vite të tëra mbajtën Kosovën gjallë. “Terreni në Kosovë është i përshtatshëm për një veprimtari të tillë që del nga shpirti solidar i njerëzve, të cilët kanë kontribuuar edhe atëherë kur mungonte shteti i Kosovës, por ishin bashkë shteti moral, ndjenja morale dhe të gjithë njerëzit e bizneseve e të vullnetit të mirë”, ka thënë presidenti Sejdiu.
FIDES çmimi për Kontribut në nivel lokal ku vepron kompania e fitoi kompania Sharrcem, kompani kjo e cila ka kontribuuar në përmirësimin e jetesës në komunën e Hanit të Elezit dhe Kaçanikut duke mbështetur aktivitete kulturore, artin, edukimin, infrastrukturën dhe rininë.
Këtë çmim e dhuroi z.Michel Myrphy, zv/shef i Ambasadës Amerikane duke theksuar se sektori privat luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Ceremoninë për filantropinë korporatave të cilën sonte po e nderojmë është vetëm një shembull se çfarë roli të rëndësishëm mund të luaj shoqëria civile dhe bizneset, theksoi ai.
FIDES çmimi për Kontributin e medieve e fitoi RTV 21 gjegjësisht emisioni “Edhe unë jam Kosovë”, emision ky që trajton jetën e skamnorëve në Kosovë duke dhënë një shtysë të fuqishme drejt interesimit të sektorit të biznesit në dhënien e ndihmës drejt familjeve skamnore, zbutjen e varfërisë si dhe luftën e të gjitha formave të diskriminimit. Përfaqësues i Zyrës Ndërkombëtare Civile në Kosovë, z. Peter Faith me rastin e dhënies së këtij çmimi inkurajoi të gjitha mediat që të punojnë më shumë në këtë drejtim duke theksuar se mediat, shoqëria civile dhe bizneset luajnë një rol shumë të rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. “Kosova është një shtet i ri, me evropianët e rinj, të cilët kanë perspektivë për anëtarësimin evropian. Në këtë drejtim një rol të madh luajnë mediat sidomos ato të pavarurat të cilat paraqesin një faktor të domosdoshëm drejt rrugës së integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka thënë Feith.
Që nga ky vit, tradita për mirënjohjen e kontributit për filantropinë kosovare do të jetë pjesë e vlerave të shoqërisë kosovare dhe ne të gjithë së bashku mund ta bëjmë që kjo traditë të jetojë përgjithmonë. Le të jetë FIDES një nxitje, frymëzim, motiv për të shtuar kujdesin tonë për vetveten dhe të tjerët. Le të jetë FIDES një derë e hapur për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për të mirën e përbashkët. – ishin këto fjalë me të cilat u përmbyll kjo ceremoni.