Filantropia përshkruan aktin e dhënies së kohës dhe gjërave për njerëzit në nevojë dhe komunitetin, pa pritur asgjë në rikthim. Është ajo dashuria ndaj njerëzve, që pavarësisht gjithçkaje, tregon mbi ndjeshmërinë ndaj të tjerëve, sidomos atyre që kanë nevojë.
Filantropia nuk njeh para, moshë, shtresë shoqërore. Nuk duhet të jesh i pasur, që të jesh filantrop. Nuk duhet t’i takosh ndonjë shtrese të caktuar shoqërore, të jesh filantrop. Shembull i një filantropi të vërtetë është Ryan Hreljac, i cili qysh në moshën 6 vjeçare, kur dëgjoi nga mësuesi i tij se në Afrikë vdesin njerëz në mungesë të ujit, me kursimet e tija, filloi fushatën për ngritjen e fondeve dhe themeloi fondacionin. Fushata rezultoi me 1 milion dollar të mbledhura, të cilat 6 vjeçari i shfrytëzoi për financimin e 120 projekteve për hapjen e bunarëve, në shumë vende, sidomos në Afrikë. Shembull i një filantropi të vogël në Kosovë është Fresk Sylhasi, 11 vjeçar, i cili përshkoi rrugën nga Prishtina për në Sarandë me bicikletë, për të mbledhë fonde, me të cilat bleu materiale mësimore për shkollën e Thethit në Shqipëri. Për këtë akt filantropik, Fresku u shpërbly me Çmimin FIDES për filantropi, që Forumi për Iniciativa Qytetare e jep çdo fundvit.
Mund të flasim gjithë ditën për filantropinë, por shembujt e këtillë të ndjeshmërisë, dashurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzve dhe komuniteteve në nevojë, na tregojnë shumë.
Filantropia gjerësisht definohet si dashuri ndaj njerëzimit. Është kjo dashuri që kontribuon në eliminimin e problemeve sociale, e pikërisht këtu vjen në shprehja dallimi I filantropisë me bamirësinë, që fokusin e ka në eliminimin e vuajtjeve të shkaktuara nga problemet sociale.
Pra shpesh nuk arrihet të bëhet dallimi mes bëmirësisë dhe filantropisë, ngaqë të dyja kanë qëllim dhënien, vetëm se filantropia bën zgjidhjet më afatgjata, duke u bazuar në nevojat e komunitetit, për dallim nga bëmirësia, që zgjidhjet i bën më afatshkurtra. Bëmirësia të jep peshkun, përderisa filantropia të mëson të gjuash ate!
Sektori privat, të jemi krejtësisht të sinqertë, ka ndryshuar kontekstin e peshkut, qoftë të gatshëm, qoftë të dhënies së zanatit. Pra, nëse një biznes të jep një peshk apo edhe të mëson zanatin e peshkimit, këtë e bënë për shkak të marketingut që është gjëja gati-gati më e rëndësishme për ta. Strategjia e marketingut të kompanive në të ardhmen duhet dhe do të jetë filantropia!
Projektet e FIQ direkt ose indirekt kanë kontribuar në të mirën e përbashkët. Një shembull se si funksionon një projekt i tillë është projekti ATAR. Ky projekt në fazën e parë ka trajnuar, mentoruar dhe financuar me nga 2500 Euro, 25 ide biznesi social, të projektuara nga të rinjë që i përkasin familjeve me asistencë sociale dhe të rinjë të papunë. ATAR2, që është vazhdimësi e tij, ka financuar 20 biznese me nga 8000 Euro. Kështu FIQ me programet e veta, mundohet që krahas edukimit të komuniteteve rreth rëndësisë së filantropisë, që e bënë përmes ndarjes së Çmimit FIDES, ndërmerr projekte filantropike dhe në këtë formë sigurohet të mbushë hendeqe brenda shoqërisë. Poashtu, FIQ ka organizuar takime në shumicën e komunave të Kosovës, duke identifikuar problemet kryesore që shqetësojnë qytetarët dhe që mund të jenë probleme larg syve të filantropëve potencial. Mungesa e kujdesit për fëmijë me nevoja të veçanta; sidomos fëmijë me zhvillim të vonshëm mendorë, pastaj përkujdesja ndaj personave në moshë të shtyer; aftësimi për treg pune i grave në zonat rurale të cilat nuk kanë përfunduar as arsimin fillor; procedimi i Ligjit për Filantropi; në përgjithësi kontributet filantropike të jepen në fusha si ndërmarrësi ku ka mundësi që të reprodukohen mjetet apo të rriten ato dhe jo të përdoren vetëm njëherë. Këto pra janë kërkesat e qytetarëve se si ata mendojnë se kontributet filantropike do të ndikonin në një zhvillim të qëndrueshëm.
Investimet në konsum i shërbejnë bëmirësisë, ndërkaq investimet filantropike të menduara dhe dizajnuara mirë, i shërbejnë uljes së papunësisë dhe rrjedhimisht uljes së varfërisë në vend. Andaj, mesazhi më i mirë për bizneset dhe donatorët e tjerë është krijimi i një fondi të përbashkët, i cili do të shërbente për krijimin e bizneseve të reja sociale, që përfitues direkt do të ishin qytetarët, dhe përfitues indirekt do të ishte buxheti i ngarkuar me kategori sociale i vendit.
Ky blog është shkruar nga Arieta Dragusha, si pjesë e projektit rajonal SIGN Up for Impact, financuar nga Bashkimi Europian, në Kosovë implementuar nga FIQ.