?>

Kush jemi ne?

Hyrje rreth Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ)

Që nga viti 2000, Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) ka vepruar si një aktor kyç i shoqërisë civile në Kosovë, duke promovuar modelin e qytetarisë aktive, pjesëmarrjen kuptimplote të qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe rritjen e llogaridhënies institucionale. Në kontekstin aktual të zhvillimeve politike, të karakterizuara nga polarizimi politik, sfida në funksionimin institucional dhe dinamika të ndërlikuara të dialogut me Serbinë dhe integrimit evropian, roli i shoqërisë civile si ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve publike është i domosdoshëm për konsolidimin demokratik.

FIQ ka zhvilluar një model pune të bazuar në mobilizimin qytetar, avokimin politik dhe ndërtimin e kapaciteteve të aktorëve lokalë. Ky model ka demonstruar ndikim të drejtpërdrejtë në politikat publike, përfshirë ndërhyrjet në sektorin energjetik, mjedisor dhe social, duke promovuar transparencë, drejtësi sociale dhe politika të bazuara në evidencë. Në një mjedis ku besimi publik ndaj institucioneve mbetet i brishtë, FIQ kontribuon në ndërtimin e mekanizmave të pjesëmarrjes qytetare dhe monitorimit të qeverisjes.

Në përputhje me prioritetet e reformave demokratike dhe integrimit evropian, FIQ fokusohet në: (i) forcimin e kapaciteteve të shoqërisë civile lokale, veçanërisht jashtë qendrave urbane; (ii) promovimin e tranzicionit të drejtë energjetik dhe ekonomisë së gjelbër; (iii) zhvillimin e ndërmarrësisë sociale dhe vetëpunësimit për grupe të margjinalizuara; dhe (iv) avancimin e kornizave politike për përfshirje, barazi gjinore dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Përmes partneriteteve me institucione publike, donatorë ndërkombëtarë dhe aktorë lokalë, FIQ synon të shërbejë si një hub strategjik për inovacion social dhe politik, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të shoqërisë civile dhe në forcimin e cilësisë së demokracisë në Kosovë.

“Vizioni ynë është të udhëheqim zhvillimin e komunitetit në Kosovë në një periudhë sfidash politike dhe socio-ekonomike, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët për të ndërtuar qëndrueshmëri, përfshirje dhe zhvillim të qëndrueshëm.”

"Fuqizimi i qytetarëve përmes filantropisë"

FIQ është një fondacion i pavarur që synon të sjellë ndryshime afatgjata në shoqëri duke punuar në nivele të ndryshme të vendimmarrjes. Të gjitha aspektet e punës sonë udhëhiqen nga një sërë parimesh që ne i kemi shndërruar në vlera të punës. Vlerat dhe parimet tona janë të rëndësishme për kulturën e fondacionit dhe shërbejnë si udhërrëfyes për punën tonë të përditshme. Parimet tona do të shërbejnë si pikë referimi jo vetëm për hartimin dhe zhvillimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin tonë organizativ, por edhe për të vlerësuar veten, partnerët tanë dhe palët e tjera të interesit.

Parimet tona

Llogaridhënie

Ne punojmë për të promovuar një qasje gjithëpërfshirëse për sigurimin e transparencës, që është edhe thelbi i misionit tonë.

Bashkëpunim

Bashkëpunimi me qytetarët, OShC-të lokale, komunitetet, bizneset dhe qeverisjen lokale definon përpjekjet tona për të lidhur aktivitetet e punës me njerëzit dhe angazhimin e tyre për të sjellë ndryshime. Kjo qasje nuk është e dobishme vetëm për FIQ, por gjithashtu edhe për partnerët tanë.

Fuqizim

Ne punojmë për të fuqizuar qytetarët,si dhe organizatat vendore për të fituar më shumë kontroll mbi jetën e tyre, duke u përpjekur ti përgjigjemi kërkesave të qytetarëve dhe organizatave lokale sepse ne besojmë në ruajtjen e identitetit dhe në vlerat që ato sjellin në bashkëpunimin tonë.

Reagim

Ne punojmë për t'iu përgjigjur prioriteteve të qytetarëve në komunitetet lokale, pavarësisht nga ndryshimet politike dhe ekonomike. Motoja jonë është se prioritetet e qytetarëve duhet të jenë qendra e punës sonë.