Gjykata e Prishtinës ka vendosur që ta refuzoj kërkesën e propozuesve Astrit Istrefi, Bujar Ejupi dhe Visar Azemi për caktimin e masës së sigurimit për Shtëpinë e Shoqërisë Civile.
Palë ndërgjyqëse në këtë proces janë pesë bashkëthemeluesit e fondacionit për ndërtimin e shtëpisë së shoqërisë civile.
Ky fondacion ishte themeluar në vitin 2017 me qëllim të ndërtimit të shtëpisë së OJQ-ve, dhe ishte përkrahur nga Fondacioni “Rockefeller Brothers Found”, RBF, me një milion dollar. Projekti i tillë është implementuar edhe në Mal të Zi dhe në Serbi.
Çështja përfundoi në Gjykatë kur tre nga bashkëthemeluesit e këtij fondacioni, Astrit Istrefi, Burim Ejupi dhe Visar Azemi kërkuan, që përfaqësueses ligjore të fondacionit Dajana Berisha dhe anëtares së bordit të drejtorëve Jeta Xharra t`u pamundësohet menaxhimi me objektin në fjalë.
Me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, përfaqësuesit e padisë kishin kërkuar që Dajana Berishës e Jeta Xharrës t`u ndalohej menaxhimi me objektin në fjalë, që do nënkuptonte ndalimin që të njëjtat të mund të dhurojnë, disponojnë, japin me qera, marrin vendim për shuarje apo në ndonjë mënyrë tjetër të tjetërsojnë paluajtshmërinë apo emërojnë anëtar të rinj në Bordin e Drejtorëve të Fondacionit.
Përveç kësaj, përfaqësuesit e padisë kishin tentuar ta ndërrojnë përfaqësuesen ligjore të fondacionit të shtëpisë së shoqërisë civile, duke dërguar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike më 31 gusht 2019 që të ndërrohet Dajana Berisha me një person tjetër të propozuar prej tyre. Kjo kërkesë ishte refuzuar nga Ministria e atëhershme.
Mirëpo në vendimin e fundit të Gjykatës së Prishtinës, të datës 4 mars 2021, i cili tanimë është i formës së prerë, përfundimisht janë refuzuar të gjitha këto pretendime dhe kërkesa e përfaqësuesve të padisë për caktimin e masës së sigurisë për fondacionin e Shtëpisë së Shoqërisë Civile.
Me rastin e marrjes së këtij vendimi, Gjykata e Prishtinës, pas shqyrtimit të të gjitha provave dhe fakteve dhe duke marrë parasysh edhe udhëzimet e Gjykatës së Apelit, ka ardhur në përfundim se për caktimin e masës së sigurisë do të duhet të përmbusheshin disa kushte të cilat do ta bënin të besueshme kërkesën e përfaqësuesve të padisë kundrejt arsyeve për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Prishtinës, masa do të mund të caktohej vetëm në rast se përfaqësuesit e padisë do të mund të dëshmonin, se ekziston rreziku real se nëse nuk caktohet masa e sigurisë, pala kundërshtare do të pamundësoj, apo vështirësoj realizimin e kërkesës së tyre.
Për Gjykatën, për t`u bërë i besueshëm ekzistimi i rrezikut, përfaqësuesit e padisë duhet t’i bëjnë të ditura veprimet konkrete të cilat i kanë ndërmarrë kundërshtarët e padisë, veprime këto që do të konsideroheshin si veprime në drejtim të vështirësimit apo pamundësimit të realizimit të kërkesës së përfaqësuesve të padisë.
E që sipas vlerësimit të Gjykatës përfaqësuesit e padisë kanë dështuar që të paraqesin ndonjë veprim konkret të ndërmarrë nga kundërshtarët e padisë në drejtim të disponimit të çfarëdo qoftë veprimi që do të ishte në kundërshtim me qëllimet e Fondacionit, gjë e cila do të mund të rezultonte në dëm të Fondacionit, apo shuarjes së tij.
Gjykata ka vlerësuar se, përfaqësuesit e padisë nuk e kanë bërë të qartë se cili do të ishte dëmi që do të pësonin ata nëse ndërmerrej ndonjë nga veprimet, ndalimin e të cilave e kërkojnë.
Ndërsa, sa i përket pretendimit të përfaqësuesve të padisë, se ekziston rreziku real dhe i drejtpërdrejtë se nëse shuhet Fondacioni, dy kundërshtarët e padisë do të mund t’i bartin interesat pronësore nga Fondacioni tek ndonjëra OJQ të cilat ato e drejtojnë, Gjykata e ka vlerësuar si të paqëndrueshëm këtë pretendim pasi që ka sqaruar se me Ligjin për OJQ-të, një gjë e tillë nuk është e mundur.
Gjykata e Prishtinës me aktvendimin e datës 3 gusht 2020, kishte vendosur që ta aprovonte kërkesën e paditësve/propozuesve të masës së sigurisë Astrit Istrefi, Burim Ejupi dhe Visar Azemi, në atë mënyrë që kishte vendosur që të caktohej masa e sigurisë për fondacionin “Shtëpia e Shoqërisë Civile”, si dhe t`u ndalohej kundërshtarëve të sigurimit Jeta Xharra e Dajana Berisha, emërimi i anëtareve të rinj të bordit të drejtorëve si dhe t`u ndalohej marrja e vendimit për shpërbërjen e fondacionit.
Të pakënaqura me këtë vendim të Gjykatës së shkallës së parë, kundërshtarët e masës së sigurimit, Jeta Xharra dhe Dajana Berisha kanë ushtruar të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.
E shkalla e dytë e drejtësisë i kishte dhënë plotësisht të drejtë ankesës së parashtruar nga Xharra dhe Berisha duke gjetur se aktvendimi i Gjykatës Themelore kishte qenë i shoqëruar me shkelje procedurale dhe se nuk i kishte vërtetuar faktet vendimtare të rastit.
Pas shqyrtimit të kësaj ankese, Gjykata e Apelit kishte gjetur se edhe ankesa e kundërshtareve të propozimit për masë të sigurisë e po ashtu edhe propozimi i propozuesve ishte i bazuar prandaj kishte vendosur që çështjen ta kthente në rishqyrtim në shkallë të parë.
Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të propozimit dhe ankesës lidhur me vendimin e Gjykatës së shkallës së parë të datës 3 gusht 2020, kishte gjetur se vendimi i kësaj Gjykate ishte i pa bazuar dhe nuk kishte mbështetje ligjore.
“Gjykata e Apelit duke e vlerësuar mënyrën e vendosjes në këtë çështje juridike kontestuese nga ana e Gjykatës së shkallës së parë, gjen se një përfundim i tillë është i pa bazuar dhe nuk ka mbështetje ligjore, meqë aktvendimi i tillë është i goditur është i përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas Gjykatës së Apelit, vendimi i parë i Gjykatës së Prishtinës ishte i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave esenciale të procedurës kontestimore, të meta të cilat sipas Gjykatës së Apelit nuk mund të ekzaminohen.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Prishtinës, i cili e refuzon kërkesën e propozuesve për caktimin e masës së sigurisë, tashmë është i formës së prerë, pasi që propozuesit nuk e kanë ushtruar të drejtën e tyre për ankesë në Gjykatën e shkallës së dytë.
Fondacioni për ndërtimin e shtëpisë së shoqërisë civile ishte mbështetur me një milion dollar nga fondacioni “Rockefeller Brothers Found”, me qëllim që të sigurimit të qëndrueshmërisë së organizatave të shoqërisë civile.