Banorët e fshatit Hade të përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare kanë protestuar për vonesën e procesit të zhvendosjes dhe injorimin e problemit të tyre nga ana e qeverisë qendrore dhe asaj lokale.
Banorët e Hades përmes kësaj proteste iu kanë bërë me dije udhëheqësve vendor se nuk do lejojnë që të manipulohet me pronat e tyre. Ata madje kanë akuzuar udhëheqësit e vendit se “po iu plaçkitin pronat”.
“Dislokim i menjëhershëm i fshatit Hade”, “Nuk ka jetë në fshatin Hade”, “Punësim”, janë disa nga kërkesat e këtyre banorëve të shkruara në pankartat e tyre. “Boll me qymyr”, “Dislokim i menjëhershëm i fshatit Hade”, “Nuk ka jetë në fshatin Hade”, “Punësim”…,këto janë vetëm disa nga kërkesat e shënuara në pankartat që banorët e fshatit mbanin, sot, në duar gjatë protestës së tyre kundër procesit të zhvendosjes në shpërputhje me të drejtat e tyre.
Banorët e Hades kanë kërkuar zhvendosje të dinjitetshme dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Në 2011 Qeveria e Kosovës zyrtarisht ka miratuar Kornizën ligjore për Zhvendosje për Mihjen e re një dokument ky, që sipas deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë, është në përputhje me standartet ndërkombëtare për zhvendosje.
Por, kjo zhvendosje nuk ka ndodhur asnjëherë në këtë mënyrë. Përkundrazi banorët kanë theksuar se janë në mes të rrugës, pa shtëpi, pa punë, pa ujë, pa tokë bujqësore, pa shkollë për fëmijët…
Drejtoresha e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), Dajana Berisha ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar për zhvendosjen e dinjitetshme të banorëve të fshatit Hade. Ajo ka thënë se banorët vazhdojnë që edhe pas 14 viteve të jenë në pikën zero.
“Mungesa e ofrimit të një zhvendosje të dinjitetshme të fshatit Hade është dështim absolut i gjithë nivelit të qeverisjes qoftë të nivelit qendror, qoftë komunal, qoftë institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, qoftë ministritë me radhë të gjithë janë dështuar në ofrimin e kësaj zhvendosje”, ka thënë Berisha.
Ajo ka theksuar se brengoset për këtë gjendje jashtëzakonisht të rëndë me të cilën po përballen banorët. “Brengosem shumë që iu shoh edhe njëherë pikërisht në pikën zero pra 14 vite dhe ju jeni prapë në këtë situatë veçse jeni akoma më të varfër, akoma edhe më të zhgënjyer”, tha Berisha.
Sipas Berishës institucionet vendore nuk duan të ofrojnë zgjidhje për problemet dhe kërkesat e këtyre banorëve.
Ndërkaq nga ana e tij përfaqësuesi i banorëve të fshatit Hade, Ragip Grajqevci tha se banorët që jetojnë në këtë fshat i ekspozohen rrezikut për jetë.
Kërkesa e banorëve, Grajqevci tha se mbetet që edhe pjesa tjetër e fshatit Hade të përfshihet në planin për zhvendosjen e këtij fshati.
“Kërkojmë që pjesa e mbetur e fshatit Hade, pjesa qendër të përfshihet në planifikimin e KEK-ut për zhvendosjen e Hades e cila do të merret nga KEK-u, Qeveria dhe ministritë përkatëse shumë shpejt. Projekti ka ngelur vetëm në letër pa u zbatuar. Nëse anashkalohemi edhe këtë herë nga projekti i mëhershëm dhe i tanishëm premtojmë se nuk do të jemi mbështetës në projektet e juaja me qëllime për përfitime, por do i mbrojmë të drejtat tona legjitime ndaj pronave dhe aseteve individuale jetike me seriozitet edhe përgjegjësi politike dhe ligjore”, tha Grajqevci.